Secondary Adv

Rama dhe Koçiu inspektojnë punimet në Maternitetin Mbretëresha Geraldinë, përfundon në 2025

 Rama dhe  Koçiu kanë inspektuar punimet për rikonstruksionin e Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”.

Ministrja Koçiu deklaroi se punimet pritet të përfundojnë brenda këtij viti së bashku me mobilimin dhe pajisjet e teknologjisë së lartë duke e transformuar në qendër lider në ofrimin e kujdesit obstetrik dhe gjinekologjik si dhe duke siguruar standarde të larta për kujdesin shëndetësor ndaj nënave dhe fëmijëve.

 

Ajo theksoi se ky investim në një sipërfaqe prej rreth 6 mijë metër katrorë përfshin shërbimet e laboratorit, imazherisë, urgjencës, Qendrën e Gruas si dhe dy shërbimet e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë.

 

“Rikonstruksioni i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” po realizohet në dy faza. Faza e parë që ka të bëjë edhe me ndërtimin e godinës kryesore diku te 6 mijë metër katrorë  dhe ka përfunduar në fund të vitit që shkoi.

 

Në godinën e re, 3 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë janë shërbimet kryesore, shërbimi obstetrikë-gjinekologjisë, shërbimi i imazherisë, qendrën e gruas që është e gjitha e ndërtuar e re”, u shpreh Koçiu duke shtuar se ndërkohë ka filluar faza e dytë me rikonstruksionin e ambienteve të neonatologjisë.

 

Gjithashtu, Koçiu vuri në duke se është mundësuar dyfishim të kapaciteteve, 7 salla operacioni 6 salla lindjeje me kushte bashkëkohore si dhe ofrimin e shërbimit të neonatologjisë dhe qendrën e parë të prematuritetit.

 

“Nga 260 shtretër që janë aktualisht, kapacitetet e shtretërve janë rritur në 320. Secili nga shërbimet ka edhe shërbimin intensiv. Me shërbimin e neonatologjisë kompletohet i gjithë korpusi spitalor.

 

Ndërkohë që tek faza e dytë kemi edhe qendrën e prematuritetit e ndarë në dy klinika. Klinikën për nënat që kanë risk të lartë gjatë shtatzanisë dhe klinika për fëmijët që lindin prematurë. Është qendër e re që krijohet këtu dhe vjen edhe si rezultat i shtimit dhe organizimit të ambienteve të reja”, nënvizoi Koçiu.

 

Ajo shtoi se do të nisë puna edhe për rikonstruksionin e shërbimeve të tjera duke bërë edhe zhvendosje të tyre në ambientet e reja me qëllim që të mos të ndërpriten shërbimet në asnjë moment.

 

Me Buxhetin e vitit 2025 mbështetet “Paketa e fertilitetit” edhe në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” që do të mundësojë shërbim falas të fertilizimit in vitro me teknologji të avancuar për të gjitha çiftet që dëshirojnë të kenë një fëmijë./A2 CNN


Më të lexuarat